Bashkimin Evropian e ka mirëpritur nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës, KEDS, dhe kompanisë së themeluar sipas ligjit të Kosovës, “Elektrosever”.
Sipas BE-së, ky është hapi i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015. Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, thuhet në reagimin e BE-së.
BE-ja ka lavdëruar të gjithë të përfshirët që e bënë të mundur dhe “pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me shpejtësi zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të dialogut në interes të normalizimit të marrëdhënieve”.