Drejtori i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani tha se në Brugun e Sigurisë së LArtë, ku po mbahen të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, ka pasur një tentim-sulm.
Derjtori i SHKK-së i tha Gazetës Express se do ta formojnë një komision hetimor për këto incidente.
“Për të gjitha këto ne do ta formojmë komisionin hetimor dhe do të dalim me rezultate konkrete”, tha ai.
Gjykata Themelore e Prishtinës para një jave ka bërë të ditur “dyshimin e bazuar” për planin e Naim Murselit për ta privuar nga jeta “në mënyrë dinake” bashkëshorten e tij. Në marrëveshje me Naim Murselin, Gjykata thotë se Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë e qëlloi me plumb në qafë Liridona Ademajn, pasi bashkëshorti i saj dhe fëmijët u larguan “kinse për të ikur”. Dorasin, sipas Gjykatës, Naim Murseli e kishte pajisur edhe me armën me të cilën ishte kryer krimi.
Naim Murseli akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Granit Plava për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla për marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Naim Murseli para një jave doli për herë të parë para gjykatës, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, dy të pandehurit tjerë me të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë se e organizoi vrasjen e bashkërtes së tij, Liridona Ademajt.
Gjykata Themelore e Prishtinës ua caktoi nga një muaj paraburgim secilit, pasi sipas gjykatëses së procedurës paraprake, “ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale”.