Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vdekjes së zyrtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Rexhep Sejdiu.
Sveçla, me anë të një reagimi në ‘Facebook’ tha se i ndjeri do të kujtohet si i përkushtuar dhe i palodhur. Ministri i policisë ka thënë se i ndjeri rezistoi bllokimit 19 ditor në Jarinjë, pas arrestimit të Dejan Pantiq.
“Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantic”, ka deklaruar Sveçla.
“Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të”.
Sveçla iu ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve të Rexhep Sejdiut.