Kosova nuk ka arritur të përmbushë parashikimet për rritje ekonomike prej 5 për qind. Sipas ekonomistëve, në këtë ndikoi rënia e konsumit si pasojë e rritjes së çmimeve. Ekonomistët nuk presin që as viti i ardhshëm të jetë më i mirë
Sipas profesorit universitar, Nagip Skenderi, rënia e formimit të kapitalit reflekton në ulje të punësimit dhe thellim të krizës, por njëkohësisht paraqet edhe frikë për të investuar. Përmend edhe faktorë të tjerë që ndikuan në ngadalësim të ekonomisë.
“Gjatë vitit 2023 kemi pasur një rënie të aktiviteteve ekonomike që është reflektuar në ngadalësim të rritjes ekonomike, e cila ishte parashikuar më herët nga ana e Qeverisë që do të jetë diku afër 5 për qind edhe pse krahasuar me 2022 ishte një rënie dyfishë më pak, megjithatë Banka Botërore dhe Fondi monetar ndërkombëtar edhe institucionet tjera ndërkombëtare të cilat monitorojnë të gjitha këto vende kanë treguar që rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 3.2 për qind, që do të thotë se kemi rënie të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Skënderi.
Ai përmend edhe faktorë të tjerë që ndikuan në ngadalësim të ekonomisë.
“Këtë vit kemi pasur rënie të konsumit, si rezultat i inflacionit rritjes së çmimeve, kemi pasur si rezultat i mosrritjes së pagave gjatë këtij viti, në disa sektorë kemi pasur edhe rënie të pagave. Pensionet tash e disa vite nuk kanë lëvizur nga vendi në aspektin e rritjes dhe të gjitha këto kanë reflektuar që të ngadalësohet, respektivisht të ulët shuma e konsumit dhe kjo natyrisht që reflekton”, ka theksuar ai.
Trend i njëjtë ose më keq, sipas profesorit Skënderi, pritet të jetë edhe vitin e ardhshëm.
“Vitin e ardhshëm do të jetë edhe më e keqe në këtë kontekst, duke u ndërlidhur me faktin që përveç këtyre faktorëve që i potencova, është edhe faktori i fuqisë humane, i fuqisë punëtore, e cila pritet që me liberalizimin e vizave të rinjtë në masë të madhe të largohen dhe natyrisht që do të na largohet ajo pjese që është në atë kuptimin me përvojë dhe do të mbetet fuqia punëtore që është pa përvojë”, është shprehur Skënderi.
Sipas tij, Qeveria do të duhej të bënte një ristrukturim të shpenzimeve buxhetore.
“Qeveria do të duhej të bënte një ristrukturim të shpenzimeve buxhetore dhe të shkohet më tepër në motivimin për investime qofshin ato të brendshme apo të jashtme të cilat do të gjeneronin edhe rritjen e punënxënies, edhe në rritjen e GDP-së edhe të gjitha këtyre politikave ekonomike dhe sociale në vend”, ka thënë ai.
E sipas raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, konsumi i ekonomive familjare është shtytësi kryesor që e mban gjallë ekonominë.
“Rritja më e ngadaltë e konsumit privat ishte për shkak të inflacionit të lartë dhe rënies si pasojë e të ardhurave reale të disponueshme, si dhe rënies së moderuar të flukseve neto të remitancave si pjesë e BPV-së. Megjithatë, konsumi i ekonomive familjare mbeti një nga shtytësit kryesorë të rritjes, falë masave të mbështetjes së qeverisë dhe kreditimit më të lartë nga bankat. Pavarësisht disa përmirësimeve graduale, mungesa e diversifikimit ekonomik, varësia e lartë nga importi dhe furnizimi jo i besueshëm me energji e bëjnë Kosovën të ndjeshme ndaj goditjeve negative të jashtme”, thuhet në raport.
Kosova mbetet vendi i fundit në rajon sa i përket Bruto Produktit Vendor për kokë banori, duke qëndruar në 27 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian për vitin 2022.