Sot në disa media u raportua se Granit Plava, i dyshuari për vrasjen e Liridona Ademaj, është rrahur në Burgun e Sigurisë së Lartë, por këto raportime i ka mohuar drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues së Kosovës, Ismail Dibrani.
Dibrani konfirmoi për Telegrafin se ka pasur vetëm tentim-sulmi, por që nuk ka pasur rrahje.
“Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit me sulmu, stafi ka reaguar menjëherë dhe e ka parandaluar konfliktin. Nuk ka rrahje. Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është i ndishëm, presion i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik. Edhe për këtë tentim ne do të themelojmë komisionin hetimor dhe do të dalim me rezultate konkrete”, ka thënë Dibrani për Telegrafin.
Po ashtu, ai mohoi se i dyshuari për vrasjen e 30-vjeçares ka tentuar të bëjë vetëvrasje.
“Jo. Ka pasur një tentim nga ai i burgosur për ta dëmtuar batanijen në dhomë, në momentin që është hetuar, stafi ka arritur dhe e ka larguar batanijen nga dhoma dhe është zëvendësuar. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, reagimi ka qenë nga stafi. Sepse këta persona po trajtohen me rrezikshmëri të lartë. Niveli i sigurisë është ngritur”, u shpreh ai.
Drejtori i Shërbimit Korrektues po ashtu deklaroi se mes tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt nuk ka asnjë kontakt, dhe se ata janë të vendosur në dhoma njëshe.
Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt deri tani janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Ndryshe, mbrëmjen e 29 nëntorit, në Prishtinë është vrarë 30-vjeçarja, Liridona Ademaj.
Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur.
Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.