Rasti i rëndë i 24-vjeçares, Donjeta Pajazitaj, nga fshati Strellc i Deçanit, e cila u vra në vitin 2015, nuk ka marrë epilog ende. Familjarët e të ndjerës as sot e kësaj dite nuk kanë zgjidhur misterin e vrasjes së vajzës së tyre, për të cilën fillimisht ishte akuzuar kushëriri i saj, Naser Pajazitaj, i cili u lirua nga akuza për vrasje të rëndë në prill të këtij viti.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i tha Sinjalit të martën se prova kryesore e kësaj çështjeje penale tashmë është dërguar për ekzaminim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Provën kryesore të kësaj çështje penale, përmes ambasadës së SHBA-së, është dërguar për ekzaminim në SHBA që të kryhet në institucionin më të lartë ekzaminimi i kësaj prove dhe pasi ta pranojmë raportin do të merren edhe veprimet ligjore konform të gjeturave të këtij raporti”, tha Nikçi.
Sipas tij, kjo provë më parë ishte dërguar në shtetin e Turqisë, por që për shkak të rezultateve jo të detajuara, janë detyruar ta dërgojnë në SHBA për ekzaminim.
Nikçi shprehet optimist se kësaj here do të ketë të gjetura të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
“Prova më herët është dërguar në Turqi por nuk kemi pranuar rezultate të detajuara dhe është dashur të dërgohet në SHBA, jemi optimist se do të ketë të gjetura”, tha ai për Sinjalin.
Kujtojmë që Gjykata Themelore në Pejë, fillimisht, e pati liruar Naser Pajazitaj nga aktakuza. E, pas dërgimit të rastit në rigjykim, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Por, pas shqyrtimit të ankesës nga pala mbrojtëse, Gjykata e Apelit pati marrë vendim që ta ulë dënimin në 35 vjet burgim.
Pajazitaj së fundi është liruar nga paraburgimi në mungesë të provave më 6 prill të këtij viti me vendim të Gjykatës Supreme.
Të mllefosur për këtë vendim të Supremes, janë shprehur familjarët e Donjetës.
Shkëlqim Pajazitaj pati reaguar në Facebook, ku pati thënë se drejtësia e Kosovës e ka vërtetuar edhe njëherë sa e fëlliqur është.
“Drejtësia e Kosovës edhe njëherë vërtetoi se sa e fëlliqur është, edhe një herë vërtetoi se njërzillëku nuk ekziston”, pati thënë ai përmes një postimi në Facebook.