Vasfije Krasniqi, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës dhe zëri i fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, sot është nderuar në pozitë të re nga e para e shtetit Vjosa Osmani. Ajo u emërua në pozitën e të dërguarës së posaçme për dhunën seksuale gjatë luftës.
Presidentja Osmani tha se Krasniqi i ka dhënë zë dhimbjes së mijëra grave të përdhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Por, respektin e njëjtë duket se nuk e mori nga zyra e kryeministrit, Albin Kurti. Saktësisht nga kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusin të Viktimave të Dhunës Seksuale, Leonora Selmani.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, pak ditë më parë përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka telefonuar kryetaren e këtij komisioni, Leonora Selmani por kjo e fundit nuk i është përgjigjur thirrjeve.
“Komisioni për verifikimin të viktimave as në tel nuk lajmërohen” ka shkruar ajo.
Kujtojmë se, Vasfije Krasniqi vite më parë kishte postuar në faqen e saj në Facebook një letër të hapur për njeriun që e ka përdhunuar në vitin 1999.
Ndërsa, më pas ka dhënë rrëfimin e saj për torturat që ka përjetuar gjatë luftës në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.