Si çdo vit tjetër edhe sivjet gazetarët ishin cak i dhunës së formave të ndryshme.
Sulmet fizike, linçimet, etiketimet, kërcënimet e shpifjet ishin të shumta në drejtim të tyre, madje kishte edhe tendencë për të mbyllur një medium.
Më 28 dhjetor të vitit 2023 kryeministri, Albin Kurti së bashku me ministrat, Elbert Krasniqi dhe Liburn Aliu, ishin pjesëmarrës në përurimin e fillimit të punimeve për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Fushë Kosovës.
Ndonëse aktiviteti i tyre ishte planifikuar të shkoj ‘mbarë e mirë’, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Dhe kjo për shkak se njëri ndër truprojat e Kurtit ka penguar gazetaren Blerta Dalloshi në kryerjen e detyrës së saj.
Në videon e postuar nga vetë gazetarja shihet se ai e ka shtyer atë duke ia kapur krahun me forcë, dhe sipas saj, i njëjti ka ndalur edhe kamerën me të cilën po xhironin.
Më 11 maj Kurti ishte pjesëmarrës në konferencën “Siguria Kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi i radhës?
Para se Kurti të largohej nga objekti në të cilin ishte duke u mbajtur konferenca, gazetarët dhe kameramanët kishin zënë vend në hollë për t’i parashtruar disa pyetje të parit të Qeverisë.
Por ai nuk ishte i disponushëm për të iu përgjigjur atyre, pasi sipas tij, i duhej të shkonte në një takim tjetër.
Gjersa kryeministri, me hapa të shpejtë po ia mësynte derës për të dal, pjesëtarë të sigurimit të tij fizik kërkonin që kameramanët të largohen e Kurti të kalojë.
Gazeta Insajderi sjellë momentin kur njëri nga trup-rojet e tij godet paisjen e gazetarit, Kosovë Gjoci.
Në lidhje me këtë kishte deklaruar edhe gazetari, ku kishte thënë se: dy individë nga mbrojtja e kanë penguar në punë – njëri e ka shtyrë duke ia dëmtuar pajisjet, kurse tjetri e ka kërcënuar me fjalët “këqyrem mirë në sy e mbajmë në mend”.
Tentimi për të mbyllur Klan Kosovën
Në qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte njoftuar se Klan Kosovës i ishte pezulluar licensa e biznesit, ku edhe ishte inicuar kallëzim penal ndaj pronarëve nën dyshimet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.
Ndërkaq me 3 shtator Gjykata Komerciale kishte aprovuar ankesën e mediumit, duke shtyrë vendimin e MINT-it.
Pas këtij vendimi e njëjta Ministri përmes avokaturës shtetërore ka deponuar ankesë në shkallën e dytë të Gjykatës Komerciale për vendimin e marrë ndaj mediumit.
Gjuha linquese e pushtetarëve
Në një ditë të bukur marsi Blerim Vela, atëherë Shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani vendosi të bëjë një postim skandaloz në Twitter, në të cilin shkruhej: janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së.
Sulmi i radhës i Sami Kurteshit kundrejt mediave ishte me 25 maj.
Duke komentuar reagimet për emërimin e zonjës Luljeta Aliu për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve, Kurteshi, kishte akuzuar mediet dhe gazetarët se janë pjesë e “krimit të organizuar politik-ekonomik nën firmën e PLANS”.
Ndërkaq postimi me përmbajtje linçuese i Xhelal Sveçles kishte ardhur pas publikimeve të auto- incizimeve ku dëgjohet Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari duke biseduar me ish- deputetin e Listes Serbe, Igor Simiq.
“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë“, kishte shkruar ai.
Përveç tyre nuk kanë munguar edhe kërcënimet dhe gjuha seksiste sidomos ndaj gazetareve gra.
Sulmet fizike:
Në mbrëmjen e 11 prillit gazetari, Valon Syla ishte sulmuar fizikisht nga tre persona, të cilët e kishin përcjellë atë nga studio e televizionit T7 deri në një destinacion tjetër në lagjen Bregu i Diellit.
Si pasojë e goditjeve Syla kishte pësuar lëndime në kokë, ndërkaq tre të dyshuarit, në atë kohë, ishin arrestuar.
Javë më parë ata janë dënuar me nga 2 vite burgim, ku edhe kanë pranuar se gazetarin e kanë sulmuar për shkak të një deklarate të tij.
Më 19 korrik dhe 11 gusht ishte sulmuar fizikisht ekipi i “Nacionale”. Herën e parë, kameramani Arbër Latifi ishte sulmuar nga pjesëtari i sigurimit fizik në Spitalin e Gjakovës. Ndërkaq herën e dytë, i njejti së bashku me kolegun e tij gazetar është sulmuar gjatë një proteste në Prizren.
Ngjashëm si përfaqësuesit e tjetër të medieve që janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës së tyre, ashtu është sulmuar edhe gazetarja e Insajderit, Dijellza Preniqi dhe kameramani, Albert Bislimi, nga Bedri Halili, imam i xhamisë “Sheik Zayed” në Vushtrri.
Sulmi ka ndodhur pasi ata kishin shkuar të marrin një prononcim nga Halili në lidhje me një deklaratë të tij publike, ku mes tjerash dëgjohet duke thënë: mos i bëni dasëm k*rvav (i referohet grave).
Raportimi nga Veriu:
Vandalizimi, dëmtimi dhe goditja me plumba e veturave pronë të mediumeve, sulmet fizike, gjuajtja me gjësende të forta, kërcënimet e përndjekjet ishin sfidat me të cilat ishin përballur ata të cilët po raportonin për situatën e tensionuar në veri në atë kohë.
Vetëm brenda periudhës 26 maj-16 qershor janë raportuar 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve- kamermananëve ku ata ishin duke raportuar nga komunat veriore të vendit.
Në vijim janë disa prej momenteve të lartcekura: