Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq tha sot se deklarata e ministrit të Jashtëm britanik David Cameron se Britania e Madhe do të ndihmojë Kosovën të marrë njohje të reja meriton dënimin të ashpër.
Daçiq kritikoi Cameronin se pse “nuk tha asnjë fjalë” që kryeministri Kurti dhe Kosova nuk po e zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit në lidhje me Asociacionin.
Tutje, Daçiq për Tanjug tha se Cameron “nuk tha asnjë fjalë për terrorin dhe dëbimin e dhunshëm të më shumë se 200 mijë serbëve, si dhe për shkatërrimin e kishave dhe manastireve të krishtera serbe nga mesjeta”, ndërkaq i njëjti i premton Kosovës “ndihmë me njohje të reja dhe pranim në institucionet ndërkombëtare”.
David Cameron tha sot në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj duke përmendur këtu procesin e njohjeve të reja.
“Mbretëria e Bashkuar është krenare për partneritetin e saj të vazhdueshëm me Kosovën dhe si një mbështetëse e gjatë e pavarësisë së saj. Faleminderit ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti për takimin dhe diskutimin se si mund të punojmë së bashku për të ruajtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Sekretari i Jashtëm britanik.
Ndryshe, ministri britanik pas takimit me ministren Gërvalla sot në një konferencë të përbashkët për media tha se ndodhet në Kosovë për të mbështetur, ndihmuar dhe promovuar shtetin e Kosovës.