Tërmeti i dëmtoi shtëpin në lagjen “5 Maji”, në kryeqytet, Lulëzim Camit i cili u zhvendos rreth 2 vjet më parë në rrugën “Xhon Belushi” në zonën e Freskut, po në Tiranë.
Mëngjesin e sotëm vëllai i tij Vehap Cami që mbante me vete një armë tip pistoletë pasi e shkrepi kundër Lulëzimit, vrau më pas edhe veten.
Ngjarja me dy viktima ndodhi rreth ores 7:40. Vehap Cami 63 vjeç me banim në Lundër të Tiranës kishte ardhur i vetëm tek vëllai i tij. Të dy vëllezërit vdiqën menjëherë, dhe trupat e tyre u dërguan më autoambulancë për në morgun e Tiranës.
Policia u njoftuar nga persona të tjerë, se në banesën e Lulëzim Camit, baba i 3 djemve dhe një vajze, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Pasi uniformat blu shkuan në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar trupat e dy viktimave. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Shkak për këtë krim makabër në ditët e parë të Vitit të Ri, thuhet se është bërë një pronë e dy vëllezërve në vendlindjen e tyre. Por fëmijët e tyre janë shprehur se nuk ishin në dijeni të mosmarrëveshjeve të prindërve të tyre. Referuar dokumentave të bëra publike nga policia, autori i ngjarjes, Vehap Cami një ditë më parë festoi edhe ditëlindjen e tij të 63-të.