Kryeministri, Albin Kurti ia ka huqur sot me një informacion gjatë mbledhjes së qeverisë. Teksa po fliste për arrestimet nga Serbia të qytetarëve kosovar, tha se edhe Petrit Dula është duke u mbajtur në paraburgim atje, për këtë huqje të Kurtit një arsyetim e dha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan Insajderi.
Haxhi në konferencën për media pas mbledhjes kurrsesi nuk e fajësojë Kurtin, tha se ishte gabim i shkruesve të fjalimit të kryeministrit.
Tha se kryeministri ia ka theksuar se Dula është liruar, por ajo tha se faji është te shkruesit e fjalimit të kryeministrit, të cilët kanë gabuar teknikisht.
“Më lejoni që para se të fillojmë, të bëjmë një sqarim në raport me fjalën e kryeministrit Kurti. Menjëherë pasi që kryeministri Kurti e përfundoi fjalën e tij, u konsultuam bashkë në raport me Petrit Dulën dhe Nezir Mehmetajn, i cili, ky i fundit po mbahet në burgje në Serbi. Ndërkaq, sa i përket Petrit Dulës, kryeministri më theksoj se i njëjti është liruar, mirëpo edhe Petrit Dula edhe Nezir Mehmetaj janë futur në një paragraf. Andaj, më lejoni që t’ua sqaroj; ideja ka qenë që të flasim për trajtimin mizor dhe po ashtu padrejtësitë që Serbia vazhdon t’ua bëjë qytetarëve tanë duke i mbajtur ata në paraburgim pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë”, u shpreh ajo para gazetarëve përcjell Insajderi.