Inflacioni nuk e ka ndalur tendencën e tij rritëse edhe për muajin dhjetor, ku sipas Institutit të Statistikave përllogaritet në 4%. Ndikimin më të lartë duket se e kanë dhënë çmimet e konsumit, të cilat u shtrenjtuan me gati 20% përgjatë festive të fundvitit.
Në ndryshim nga muaji i kaluar treguesi i inflacionit u rrit me 0.5%, teksa brenda kategorizimit te ushqimeve, shtrenjtimin më të madh e pësuan zarzavatet me 20.8%, pasuar nga frutat me 10.9%, bulmeti me 6.7%, mishi me 5.5% e produktet e pastiçerive me 2.7%.
Eksperti i ekonomisë Elvin Meka thotë se tashmë inflacioni nuk është më i importuar nga jashtë, por përgjegjësinë kryesore e kanë tregtarët abuzivë.
Por cilat pritet të jenë pasojat në ekonomi nga ky nivel i ri çmimesh?
Në tërësi inflacioni sipas INSTAT u ndikua nga ushqimet me +2.38 pikë përqindje, ndjekur nga qiraja, uji, lëndë djegëse e energji me +0.51 pikë përqindje; mobilie, pajisje shtëpie me +0.34 pikë përqindje etj.
Ky nivel inflacioni vijon të qëndrojë ende larg objektiv prej 3% të Bankës së Shqipërisë, e cila pret përmbushjen e tij në gjysmën e dytë të vitit.