Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar 14 qytetarët që u lënduan pas shpërthimit të bombolës së gazit, të cilët aktualisht po trajtohen në QKUK.
Kurti tha se ka qytetarë të lënduar lehtë dhe qytetarë që kanë pësuar djegie të shkallës së dytë e tretë, derisa iu uroi shërim të shpejtë të plagosurve.
“E falënderojmë personelin kujdestar për ndërhyrjen e shpejtë dhe angazhimin profesional, ndërkaq të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejtë e të plotë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ishin po ashtu sonte në Klinikën e Emergjencës dhe atë të Kirurgjisë Plastike ku po vazhdojnë përpjekjet e mëdha për të mënjanuar rrezikun për jetë në një nga rastet”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri tha se qytetarët duhet të kenë kujdes me përdorimin e bombola e pasi sipas tij ky nuk është aksidenti i parë.
“Nuk është aksidenti i parë i këtillë, qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre. Ndërkaq inspektoriatet dhe organet tjera përkatëse të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg”, ka shkruar ai në Facebook, përcjell Insajderi.