Bislimi: Shtyrja para për njohjen e pasaportave ilegale KU të lëshuara nga Serbia dëmton rëndë dialogun
Bislimi ka thënë se në takim janë diskutuar për çështje të lidhura me dialogun. Por, ka ngritur edhe çështjen e pasaportave të lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë në Kosovë.
Ishte propozuar heqja e vizave edhe për pronarët e pasaportave të tilla.
Bislimi ka thënë se shtyrja para e kësaj do ta dëmtojë rëndë dialogun.
“U takuam sot në Vjenë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për çështje të lidhura me dialogun. U fol për nevojën e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energjinë dhe çështjet e lidhura me lëvizjen e lirë, te letra e Beogradit për tërheqjen nga marrëveshje. Janë ngritur po ashtu çështje të tjera që lidhen me urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë. Theksoj se shtyrja para e propozimit për njohjen e pasaportave të paligjshme KU të lëshuara nga Serbia, ndikon negativisht në procesin integrues dhe dëmton rëndë dialogun”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.
Lajçaku takohet me Bislimin: Urgjencë zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes së normalizimit
Lajçak ka thënë se kanë biseduar për një gamë të gjerë të çështjeve të ndërlidhura me dialogun dhe se janë pajtuar që zbatimi i shpejt i Marrëveshjes së Normalizimit është urgjent.
“Para Forumit Botëror Ekonomik në Davos jam takuar me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të diskutuar për një gamë të gjerë të temave të dialogut dhe pritjet për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në periudhën e ardhshme. Jemi pajtuar që zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit është urgjent”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.
Në Zvicër gjendet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por është thënë se nuk do të ketë takim mes tyre.