Ish-komandanti i xhandarmërisë serbe, Goran Radosavljeviq Guri, ka thënë se nuk ka frikë që emri i tij do të jetë në aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masakrën në Reçak.
Forcat serbe më 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak masakruan 45 civilë shqiptarë. Shumica e të vrarëve u qëlluan në kokë, nga një distancë e afërt.
Raporte të ndryshme të OSBE-së dhe të Humans Rights Watch (HRW) e kanë quajtur ngjarjen në Reçak si masakër ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe.
Komandant i xhandarmërisë serbe dhe drejtues i operacionit në Reçak ishte Goran Radosavljeviq Guri. Ai asnjëherë nuk u akuzua për krimet e kryera në Reçak.
Vitin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për 18 persona që dyshohet se ishin përgjegjës për masakrën.
Radosavljeviq i pyetur nëse emri i tij dhe i shokëve të tij do të figurojnë në ato aktakuza, ka thënë se “nuk ka frikë, pasi e di se për çfarë ka luftuar”.
“Nuk ka pse të kemi frikë, ne e dimë që kemi luftuar për vendin tonë”, ka thënë Radosavljeviq për televizionin serb RTS.
Radosavljeviq ndodhet në Serbi. Ai është anëtar i Bordit kryesor të Partisë Progresiste Serbe (SNS) që është në pushtet.
Radosavljeviq ka shkuar aq larg duke pretenduar se shefi i atëhershëm i OSBE-së në Kosovë, William Walker, “kishte hyrë në Reçak me terroristë gjatë natës, dhe sollën trupa nga vende tjera”.
Radosavljeviq lidhet edhe me vrasjen e vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi.