PAK ka sekuestruar pasuri me vlerë 1 milion Euro të ish-shefit të Operacionales Oltion Bistri, apo familjarëve të tij.
Në një njoftim zyrtar, SPAK informon se nga hetimet e kryera dhe provat e administruara deri tani, është evidentuar se që nga viti 2015 e në vijim i hetuari Oltion Bistri dhe familjarët e afërm të tij kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme në një vlerë totale rreth 1 milion Euro.
Në këto kushte nga Prokuroria e Posaçme është vendosur sekuestrimi për pasuritë e mëposhtme:
1. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro, e ndodhur në Tiranë.
2. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
3. Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 125 (njëqind e njëzet e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 300 000 (treqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
4. Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 95 (nëntëdhjetë e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
5. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament banimi, me sipërfaqe totale 110.6 m2, me çmim shitje 50 300 Euro e ndodhur në Tiranë.
Ndërkohë vazhdojnë me intesitet hetimet me qëllim sqarimin e plotë të fakteve objekt hetimi, sqarimin e plotë të përgjegjësisë penale për të gjithë personat e përfshirë, si dhe hetimin e plotë financiar të gjithë të dyshuarve si autorë të veprave penale objekt hetimi.
Ish-shefi i Forcave Operacionale Oltion Bistri është i arrestuar dhe ka masë sigurie arrest në burg në kuadër të hetimeve të operacionit “Metamorfoza”.
Procedimi penal i nisur në vitin 2023 është regjistruar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.