Shqiptari 34-vjeçar, Renato Muhaj, është paraqitur në një gjykatë amerikane, i akuzuar për një sërë krimesh, duke përfshirë akuzën më tronditëse për vrasjen e ish-partneres së tij, Suela Saliaj.
Prokurorët në Largo, Florida, kanë bërë të ditur se veprat penale të Muhajt ndodhën në një periudhë të shkurtër kohe dhe situata ka eskaluar shpejt.
Gjykatësi ia ka përshkruar me hollësi akuzat që e rëndojnë dhe ka përcaktuar një garanci pasurore prej 50,000 dollarësh.
Megjithatë, i është bërë e qartë se kjo garanci nuk mund të përdoret për shkak të natyrës së rëndë të akuzës për vrasje të shkallës së parë.
Gjatë proceseve gjyqësore, gjykatësi e ka konfirmuar në mënyrë të prerë se Muhaj nuk do të ketë të drejtën të takojë vajzën e tij nëse në të ardhmen ai do të lirohet nga burgu.
Ndërkohë, 34-vjeçari ka ruajtur një qëndrim të ftohtë dhe të pa emocione gjatë seancës, duke bërë vetëm një pyetje: “A do të caktoni një avokat për mua?”.
Përgjigjja e gjykatësit ishte afirmative, ndërsa iu tregua se mbrojtësi i tij ligjor ishte prezent në sallën e gjyqit.
Erida Caudili, e cila punon si police në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte këtë të mërkurë e ftuar në Euronews Albania për të folur për ngjarjen e rëndë e ndodhur në Florida, ku një shqiptar vrau ish-gruan e tij në sy të vajzës së mitur.
Ajo tha se Renato Muhaj, autori i krimit, mund të dënohet me vdekje, por kjo çështje do të marrë shumë kohë për t’u shqyrtuar.
“Në Florida ka dënime me vdekje. Zotin Muhaj e kanë akuzuar për vrasje me paramendim. Vrasja me paramendim merr dënimin maksimal dënim me vdekje. Këto çështje janë shumë të vështira.
Ai është i pafajshëm deri në momentin që shteti nuk e deklaron të fajshëm. Ai momentalisht është në paraburgim. Këto çështje shkojnë nga 3-4 muaj deri në 15 vite për t’u shqyrtuar masa e dënimit. Më pas ai ka të drejtën e Apelit”, tha Erida Caudili.