Policia e Kosovës i ka intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve për rastin e bastisjes në objektin pranë Stacionit policor në Prishtinë, e edhe disa të tjerë në cilësinë e deshmitarëve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për bastisjen e kryer të mërkurën (31 janar) është iniciuar rast i veprës penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, pasi dyshohet se në atë objekt janë kryer shërbime mjekësore jashtëligjshëm. Objekti është mbyllur me urdhër të Inspektoratit Shëndetësor.
Prokuroria ka njoftuar se gjatë bastisjes ka pasur edhe sekuestrim të provave materiale që do të shërbejnë në procedurën penale.
“Drejtoria për Hetime Rajonale në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës e Inspektoratin Shëndetësor, është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve. Pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, thuhet në komunikatën për media.