Qeveria shqiptare mund të rikthejë aplikimin e tatimit mbi vlerën e shtuar në sigurime në vitin 2026.
Në raportin e fundit për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), mbështetur në informacionin e Ministrisë së Financave, rendit vendosjen e TVSH-së në sigurime si një ndër masat pjesë e strategjisë afatmesme të të ardhurave.
Sigurimi i Jo-Jetës ka qenë i përfshirë në skemën e TVSH-së në Shqipëri deri në vitin 2014. Nga 1 Janari 2015, sigurimet u trajtuan si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, në përputhje me direktivën përkatëse të Bashkimit Europian. Megjithatë, mbi tarifat e sigurimit u aplikua taksa e primit të sigurimit, në masën 3 % deri në vitin 2016 dhe më pas 10%, shkallë që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot.
Në raportin e FMN nuk saktësohet masa e TVSH-së që synohet të aplikohet, por megjithatë mbështetur në sugjerimet e mëparshme nga vetë FMN pritet që sigurimi i jo-jetës, të përfshihet në skemën e TVSH-së me tarifë standarde 20%. Futja në skemën e TVSH-së do të zëvendësonte taksën e primit të sigurimit, që do të përkthehej me një ndryshim të shkallës tatimore me 10 pikë përqindje.
Industria e sigurimeve është shprehur në të gjitha rastet kundër rikthimit të TVSH-së, madje prej vitit 2021 ka kërkuar zyrtarisht nga qeveria uljen e taksës mbi primin për produktet vullnetare të sigurimit jo-jetë, nga 10% që është aktualisht në nivelin 2%. Siguruesit e kanë motivuar propozimin e tyre me nevojën për të lehtësuar konsumatorin e produkteve vullnetare dhe për të motivuar zgjerimin e mëtejshëm të këtij tregu.
Sipas siguruesve, ulja e taksës mbi primin për sigurimet vullnetare do të sillte një mbështetje për qytetarët, të cilët janë të pambrojtur nga rreziqet shëndetësore dhe materiale, duke lehtësuar indirekt dhe barrën fiskale që përballon shteti shqiptar, pasi këto shpenzime do të mbulohen nga shoqëritë e sigurimeve.
Sipas ekspertëve të legjislacionit fiskal, në hapësirën e Bashkimit Europian sigurimet janë të përjashtuara nga TVSH-ja dhe deri më sot nuk ka ndonjë nismë që të sugjerojë vendosjen e TVSH-së në sigurime.
Ndërkohë, praktikat e vendeve të tjera lidhur me aplikimin e një tatimi mbi primet janë të ndryshme, por në përgjithësi një formë e tillë tatimi aplikohet, me një frymë më favorizuese për produktet e sigurimit vullnetar. Në vendet e BE-së, trajtimi fiskal i primeve ka ndryshime të mëdha mes vendeve.
20 vende anëtare aplikojnë taksa mbi primet dhe shkalla e taksimit ka diferenca të konsiderueshme. Disa vende i takojnë primet në nivele të ngjashme me shkallën e TVSH-së dhe taksimi mund të arrijë në nivelin 19%-24%, ndërsa vende të tjera aplikojnë taksa shumë të ulëta, që lëvizin në intervalin mes 2% dhe 4%.
Një grup i tretë vendesh aplikojnë taksa mbi primet të diferencuara në varësi të llojit të sigurimit. Për shembull, në Francë taksa mbi primet aplikohet në intervalin mes 7% dhe 30%, ndërsa në Itali në intervalin me 0.05% dhe 21.25%.
Vitin e kaluar, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës raportuan prime të shkruara bruto në vlerën e 21 miliardë lekëve. Primet taksohen me një taksë fikse në masën 10%, që përkthehet në rreth 2.1 miliardë lekë, ndërsa TVSH-ja 20% e aplikuar mbi të njëjtën vlerë primesh do të rezultonte rreth 4.2 miliardë lekë. Megjithatë, efekti neto për buxhetin do të ishte më i vogël, sepse përfshirja në skemën e TVSH-së krijon mundësinë e zbritjes së TVSH-së në blerje.
Në strategjinë afatmesme të të ardhurave që u hodh për diskutim në vitin 2022 një propozim tjetër ishte edhe vendosja e TVSH-së për një pjesë të shërbimeve financiare, kryesisht për tarifat dhe komisionet, duke ruajtur përjashtimin për të ardhurat nga interesat. Megjithatë, një masë e tillë nuk citohet nga FMN në raportin e fundit, çka lë të kuptohet se deri tani kjo lëvizje nuk përfshihet në objektivat fiskale afatmesme të qeverisë.