Ilrik Musliu ka dal me reagim pas shkarkimit të tij nga pozita e drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës me vendim të kryetarit Përparim Rama.
Përmes një video në profilin e tij në Facebook, Musliu tha se është shumë i habitur me largimin nga detyra, pasi që thotë se nuk ka pasë ndonjë vërejtje për mosperformancë.
“Rreth 70 përqind e punëve janë të drejtorisë që kam drejtuar unë. Kam pritur trajtim me njerëzor dhe profesional sepse kam qenë profesional dhe besnik. Kam punuar në të mirë të të gjithë qytetarëve të kryeqytetit”, ka thënë Musliu.
Musliu deklaroi se pak ditë më parë mori lëvdata nga Rama dhe për shkarkimin e kuptoi nga Facebook.
“Kulmi ka qenë që njoftimin për shkarkim e mora përmes Facebook, me një status të pasaktë dhe të pasinqertë”, u shpreh tutje ai.
Tutje, Musliu tha se shkarkimin e tij e ka quajtur si provokim të ulët politik që ju ka bërë PDK-së, si partner i koalicionit në Komunën e Prishtinës.
Ndryshe, arsyetimi i kryetarit Rama për shkarkimin e Musliut është gjendja e keqe me mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet.
Musliu thotë se përgjegjëse për mbeturinat është kompania rajonale “Pastrimi”.