Ish-zëdhënësi i UÇK-së, politikani dhe historiani, Jakup Krasniqi është prezantuar si i akuzuar për krime lufte në biografinë zyrtare të tij në uebfaqen e Zyrës së Presidentit.
Pas kësaj, ka reaguar vajza e Jakup Krasniqit, Gresa.
Ajo ka bërë një reagim të ashpër, duke ia përmendur presidentes Osmani edhe ndërhyrjet kirurgjike për dobësim.
“Besoj se bukuria e njeriut rrjedh nga brenda ashtu siç besoj që shpirtin e shëmtuar nuk e zbukuron dot as me stoli, as me intervenime kirurgjike për dobësim e as me rroba firmato.”, ka shkruar Gresa Krasniqi.
Kujtojmë se, aktakuza e parë kundër Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Ndryshe Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Jakup Krasniqit.