Një rast i ngjashëm me atë të ekonomistit Jetnor Zhabolli është zbuluar në Kodër Kamëz. Një 34-vjeçar është arrestuar nga efektivët e komisariatit 3 në Tiranë, i akuzuar se ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, të cilën e kyçte në banesë dhe e monitoronte me kamera.
Në pranga u vu 34-vjeçari Asqiri Mandri.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije këtë të martë se kanë ndërhyrë në banesë pas marrjes së një informacioni se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë.
“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj”, njoftoi policia.
Rreth dy javë më parë, policia e Tiranës arrestoi Jetnor Zhabollin për të njëjtat akuza. Ai kyçte në banesë bashkëshorten, të ëmën dhe fëmijët dhe i monitoronte me kamera. Nuk mungonte as dhuna e ushtruar prej tij ndaj së shoqes, e cila kishte tentuar edhe vetëvrasjen, siç zbuluan hetimet. Në dëshminë e dhënë para uniformave blu, ajo është shprehur se prej një viti e gjysmë, jeton si në burg.