Pasurimi i shpejtë i nipave të Ali Ahmetit ka shokuar shumëkënd në Maqedoninë e Veriut. Janë bërë multimilionerë. Biznesmen është bërë edhe nipi e djali i tij. Me biznes merret edhe dhëndri i tij.
Por, cilat janë këto biznese që kanë alarmuar opozitarët e BDI-së dhe sa kanë përfituar nga vendimet shtetërore?
Pasurimi i familjarëve të Ali Ahmetit është njëra prej temave më të nxehta në debatin publik në Maqedoninë e Veriut. Një numër i madh i familjarëve të politikanit Ali Ahmetit tashmë janë bërë afaristë të suksesshëm. Biznesmenë janë bërë dy nipat e tij. Është bërë edhe djali i tij. Edhe dhëndri i Ali Ahmetit.
Nuk ka ndryshuar vetëm pasuria e deklaruar zyrtarisht e Ahmetit. Qe shtatë vite ai deklaron të njëjtën pasuri. Ndërsa familjarët e tij janë bërë milionerë. Janë përfshirë në përfitimin e projekteve e licencave shtetërore. Po ashtu, njëri prej tyre edhe është arrestuar.
Gazeta Insajderi sjell historinë e bizneseve të familjarëve të Ali Ahmetit dhe pasurisë personale të “mbretit”, të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Pasuria e kreut të BDI-së e deklaruar në Komisionin për Pengimin e Korrupsionit
Pasuria e deklaruar zyrtarisht e Ali Ahmtit mbetet e pandryshuar tash e 7 vite. Në regjistrat e deklarimit të përvitshëm të pasurisë nuk vërehet asnjë ndryshim.
Ali Ahmeti ka deklaruar se në total ka pasuri në vlerë prej 115 mijë euro. Veturë në vlerë prej 7 mijë euro apo në denarë 113.821 denarë. Ndërsa, kursime në bankën komerciale ka në vlerë prej 12 mijë e 333 euro. Tokë prej 700 metër katrorë në Shqipëri që kap vlerën e 30.000 dollarëve amerikan apo në kundërvlerë të denarit: 1.635.000 denarë.
Shtëpi në Kërçovë, me hapësirë prej 254 metër katrorë me vlerë 100.000 dollarëve amerikanë që në kundërvlerë të denarit vlerë prej 5.450.000 denarë.
Veturë Volkswagen Pollo e vitit 2010 që kap vlerën e 7000 eurove apo në kundërvlerë të denarit: 430.828 denarë.
Si dhe posedon llogari të kursimeve në Bankën Komerciale prej 758.482 denarë apo 12.333 euro.
Ndërkohë, që pasuria e tij deklarohet të jetë “modeste”. Anëtarët e afërm të familjes, djali e nipat e tij janë duke bërë ‘kërdi’ në fushën e biznesit, në Maqedoninë e Veriut.
Biznesmen “ i suksesshëm” në moshë të re
Ndonëse është vetëm 25 vjeçar, Drin Ahmeti ka konfirmuar blerjen e qendrës tregtare “Soravia” në qendër të Shkupit. Ai kishte mohuar se ishte ndihmuar nga xhaxhai, Ali Ahmeti për blerjen e këtij biznesi.
Përveç “Soravia”, Drin Ahmeti është pronar edhe i disa kompanive tjera. Emri i tij qëndron edhe prapa kompanive si “Tor Industries”” dhe “Everest JD”. Me këtë të dytën posedon një koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në Zajas, fshati i lindjes së xhaxhait të tij.
“Everest JD”, figuron edhe si pronare e “Potam-plant”, një tjetër kompani e themeluar në vitin 2019, me aktivitet kryesor prodhimin e energjisë elektrike.
Përveç kësaj kompanie që ka aktivitet kryesor energjinë elektrike, Drin Ahmeti del të jetë bashkë ortak edhe me vëllain e tij, Besian Ahmetin. Ortak i tyre është edhe vetë djali i Ali Ahmetit, Shkumbini. Treshja kanë hise së bashku në firmën “Helios Plant”.
Në anën tjetër, përjashto fushën e biznesit, emri i Drin Ahmetit bëri bujë edhe në fund të vitit të kaluar, kjo për shkak arrestimit. Atij i ishin gjetur sasi e madhe e mjeteve piroteknike.
“Sot (30.12.2023) në ora 19:50 në rrugën “Samuilova” në Shkup, zyrtarët policorë kanë ndaluar automjetin e pasagjerëve “Range Rover” me targa të Shqipërisë, i drejtuar nga D.A. (25) nga fshati Zajaz-Kërçovë dhe gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur mjete piroteknike. Personi është ndaluar në stacion dhe pas dokumentimit të rastit do të bëhet një parashtresë përkatëse”, thuhej në njoftimin e MPB-së.
“Dhëndri i kreut të BDI-së fiton 100 milionë euro në vit”
‘Hajrin’ pushtetit të Ali Ahemtit duket t’ia ketë parë edhe dhëndri i tij, Kushtrim Smajlaj, i cili po del se fiton 100 milionë euro në vit përmes një kompanie me lokacion në Kërçovë, ku ai është bashkëpronarë.
Përmes kësaj kompanie ishte arritur që në vitin e parë të operimit të realizojë 12 milionë euro të ardhura dhe 2.5 milionë fitim.
Kështu të paktën është raportuar nga emisioni hulumutes “Kod”.
Nga kontrollimi i të dhënave nga Regjistri Qendror rezulton se burri i vajzës së Ali Ahmetit, Kushtrim Smajlaj, aktualisht është pronar i vetëm i kompanisë “K.S.A”. Ndërkombëtare”.
Ai kishte një ortak kur themeloi këtë kompani në janar 2022. Erdzhan Sulkoskin. Por, tani është pronari i vetëm i saj.
“Profesionistë në krim dhe në përvetësimin e pasurisë së të tjerëve”
Akuza të rënda ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti janë dhënë nga ana e familjarit të tij, djalit të tezes, Fatmir Limanit, tani nënkryetar i partisë “BESA”.
Ndonëse familjarë, Limani nuk ka hezituar t’i cilësojë si “profesionist në krim dhe në përvetësimin e pasurisë së tjetrit”, Ali Ahmetin dhe familjarët e tij të ngushtë.
Sipas Limanit, Ahmeti dhe familjarët e tij nga “bujq e blegtorë” janë shndërruar në milionerë.
“Unë i njoh, jemi një familje, kush kanë qenë, sa kanë pasur, çfarë kanë bërë para 2001 dhe më pas. E gjithë familja Ahmeti ishin blegtorë dhe bujq dhe gjithmonë në kufijtë e ekzistencës”, deklaronte Limani për “Fokus” në qershor të vitit të kaluar.
“Kanë shfrytëzuar mjetet e pashpenzuara që kanë mbetur pas luftës në vitin 2001 dhe për të cilat mjete nuk kanë dhënë informacion përfundimtar për fondet e shpenzuara “Thirrja e Atdheut” dhe “Çlirimi i Popullit”, më shumë se 5 milionë franga zvicerane, dollarë e më pas marka. Ata kanë shfrytëzuar pozitën e liderit Ali Ahmeti gjatë çdo tenderimi në të gjitha institucionet”, vijon akuza e tij.
Fatmir Limani shkon edhe më tej duke thënë se Ali Ahmeti kontroll parcela me substanca narkotike.
“Jo vetëm kapitali legal i shtetit, por edhe bizneset e nëntokes po derdhen nëpër kasafortat e tyre. Ata kontrollojnë edhe disa nga parcelat e mbjella me kanabis-sativa, për të cilat kanë siguruar licencat e shitjes së vajit për qellime mjeksore, por të gjithë jemi dëshmitarë se kërcelli dhe gjethja e marihuanës përfundojnë në duart e tregtarëve (dilerëve) të drogës. Vetëm në tre vitet e fundit janë konfiskuar tonelata narkotikë në hyrje të Kërçovës. Dhe autoret, pas dy-tre muajsh, i sheh duke ecur lirshëm nëpër qytet”, deklaronte Limani.
Të gatshëm për të dëshmuar për origjinën e pasurisë
Vet, Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ishte shprehur i gatshëm që pasuria e tij të hetohet.
“Nuk mundet një parti të shndërrohet në hetues dhe prokuror, por këtë punë duhet ta bëjnë organet që paguhen nga shteti, nga taksapaguesit tanë, sepse ndryshe korrupsioni dhe e keqja nuk mund të luftohen. Unë u kam bërë thirrje gjithë mediumeve që të jemi në partneritet për ta luftuar të keqen, sepse kjo vetëm bashkë mund të luftohet dhe për atë që ka bërë keqpërdorim nuk ka as amnisti e as strehim në BDI. Por, derisa nuk është shpallur fajësia, ne nuk mund të bëjmë gjuajtje shtrigash”, deklaronte vet Ahmeti.
“Gjyqësia e kapur nga Ali Ahmeti”
Ndërkohë që kreu i BDI-së ishte shprehur i gatshëm për hetim, kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami ka hedhur dyshime edhe mbi sistemin e drejtësisë, që sipas tij edhe prapa tyre qëndron; Ali Ahmeti.
“Për cilën prokurori e keni fjalën? Për Prokurorinë që drejtohet nga një shërbëtor i juaji, për atë prokurori që është kapur kokë e këmbë nga ju? E keni fjalën për atë prokurori që e udhëheq Islam Abazi, i cili njëjtë sikur nipi juaj, Drin Ahmeti, nuk e dinte se si ka përfunduar në shtëpitë tuaja duke bërë fotografi me ty dhe familjarët tuaj”, thoshte Kasami.
“Në bizneset e pista të Ali Ahmetit, i përfshirë edhe kryeministri”
Për pasurinë e dyshimtë të familjes Ahmeti, kishte reaguar edhe opozitarja VMRO DPMNE.
Kjo parti kishte publikuar një marrëveshje të dyshimtë që ishte lidhur mes “Elektranës së Maqedonisë së Veriut” dhe kompanisë së nipit të Ali Ahmetit, Drinit.
Gjithmonë sipas kësaj partie, kjo kompani me vetëm një të punësuar ka marrë koncesion për nxjerrjen e gurit gëlqeror në vlerë prej 60 mijë euro.
Dyshimet për përfshirjen e anëtarëve të familjes së Ahmetit nëpër bizneset multi-milionëshe nuk janë komentuar nga drejtuesit e Qeverisë, e as nga vet kryeministri deri para pak ditësh, Dimitar Kovaçeski.
Këtë heshtje të qeverisë, opozitarja VMRO DPMNE, e ka lexuar si mundësi për përfshirjen edhe të vet Kovaçeskit në biznese sipas tyre “të pista”.
“Kovaçevski është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në krimet e BDI-së dhe Ahmetit. Kovaçevski ka frikë të kërkojë përgjigje dhe përgjegjësi për Ahmetin dhe BDI-në, sepse edhe ai është i përfshirë në krim”, thuhet në një reagim të partisë.
“Ai njeri [Ali Ahmeti], i cili para 20 vjetëve e prezantonte veten si një luftëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të përfundojë si një njeri i zhytur thellë në kriminalitet. Për fat të keq po e zhyt edhe familjen e tij”, deklaronte kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski.
Vitin e kaluar, Departamenti i Shtetit kishte ftuar udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut që të tregojnë rezultate të forta, në luftën kundër korrupsionit.