Të burgosurit që po qëndrojnë në të njëjtin burg me të dyshuarin për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor në Prishtinë, Granit Plava, kanë tentuar ta sulmojnë atë, ka bërë të ditur për KOHËN drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.
Ai ka thënë se stafi i shërbimit korrektues në Dyz ka arritur ta parandalojë rrahjen me anë të reagimit të tyre të shpejtë.
“Nuk ka rrahje. Në momentin kur kanë tentuar të burgosurit ta sulmojnë, ka reaguar menjëherë stafi dhe e ka parandaluar konfliktin. Ka pasur tentim-sulm sepse është burg, dhe rasti është i ndjeshëm, presion i opinionit ka qenë i madh, mund të ketë kërcënime, tentim për sulm, por asnjëherë nuk ka pasur kontakt fizik”, ka thënë Dibrani.
Sipas tij, për këtë rast do të themelohet komisioni hetimor në mënyrë që të dalin me rezultate konkrete.
Ai ka treguar se nga i njëjti person i burgosur ka pasur tentim për ta dëmtuar batanijen në dhomë, raste këto për çka sipas tij, edhe niveli i sigurisë është rritur.
“Jo. Ka pasur një tentim nga ai i burgosur për ta dëmtuar batanijen në dhomë, në momentin që është hetuar, stafi ka arritur dhe e ka larguar batanijen nga dhoma dhe është zëvendësuar. Nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim e as vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, reagimi ka qenë nga stafi. Sepse këta persona po trajtohen me rrezikshmëri të lartë”, është shprehur ai.
Dibrani më tej ka bërë të ditur se midis Plavës dhe personave të tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e Ademajt, nuk ka kontakt brenda hapësirave të burgut.
“Për shkaqe sigurie dhe për shkaqe se rasti është i ndjeshëm kemi vendosur që këta persona t’i shpërndajmë në institucione të ndryshme”, ka thënë ai.