Ish-senatori dhe prokurori zviceran Dick Marty ka ndërruar jetë të enjten në moshën 78-vjeçare. Lajmi për vdekjen e Marty-t u konfirmua edhe nga partia e tij, radikalët e qendrës së djathtë.
Marty u bë i njohur për publikun shqiptar në vitin 2010, kur ai publikoi një raport mbi trafikimin e dyshuar të organeve në Kosovë, i cili implikonte anëtarë të rangut të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas raportit të tij ishte themeluar Gjykata Speciale me seli në Hagë ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të gjitha akuzat për trafikim organesh janë hedhur poshtë.
Hetimi i fundit me sa duket ishte katalizatori për një urdhër të supozuar për atentat kundër Marty nga Serbia, transmetojnë mediat zvicerane. Kohë më parë, Marty tha se shërbimet sekrete serbe donin ta ekzekutonin, e më pas ua linin fajin shqiptarëve.
Kryeministri Edi Rama, në tetor në Këshillin e Evropës, kërkoi anulimin e raportit të Dick Marty-t për trafikun e organeve në Shqipëri dhe Kosovë, duke theksuar se ai është ‘Fake news’ më i rëndë në histori që baltos luftën e një kombi për liri.