Kryeprokurori Blerim Isufaj ka konfirmuar se urdhërarresti për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq me urdhër të tij, ishte tërhequr për një kohë në vitin 2021, shkruan Insajderi.
Kryeprokurori deklaroi se tërheqja e urdhërarrestit është bërë me miratimin e tij, duke mos zbuluar arsyet pse.
“Është çështje e brendshme e prokurorisë, ne nuk mund të ndajmë shumë detaje. Ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim, është tërheq për një kohë urdhërarresti, por më pas i është kthyer”, tha Isufaj para mediave.
“Pa miratimin tim nuk do të kishte mundur të ndodhte, pa arsyet nuk mund t’i jap. Nuk mundet opinion të i dijë të gjitha”, potencoi ai.
Isufaj është pyetur edhe për kritikat e kryeministrit Kurti se përse nuk është ngritur ende asnjë aktakuzë për sulmin në Banjskë.
“As nuk dua të komentoj, nuk është çështje e tij. Ne i ngrisim aktakuzat kur kemi prova, nuk mundet askush të na tregojë kur të ngrisim aktakuza”, shtoi ai.