Autoritetet franceze kanë paralajmëruar se do të ketë sulme terroriste gjatë natës së Vitit të Ri, për shkak të luftës në Gaza.
Sipas mediave të huaja Gerard Darmanin, ministri i brendshëm francez, ka bërë me dije se 90,000 policë dhe xhandarë do të vendosen në të gjithë vendin gjatë festimeve.
“Kam kërkuar një mobilizim shumë të fortë të forcave të policisë dhe xhandarmërisë në kontekstin e një kërcënimi shumë të lartë terrorist, natyrisht për shkak të asaj që po ndodh në Izrael dhe Palestinë ” tha zoti Darmanin.
Rreth 5,000 ushtarë nga Operacioni Sentinel, një operacion ushtarak që synon mbrojtjen e francezëve nga kërcënimet terroriste, dhe 35,000 zjarrfikës do të jenë në gatishmëri.
Në Paris, ku deri në 1.5 milionë njerëz pritet të zbresin në Champs-Elysees për natën e ndërrimit të viteve, 6000 oficerë do të jenë në patrullë. Policia do të lejohet të përdorë dron për herë të parë si pjesë e operacioneve të saj.
Ndërkohë, në Gjermani, autoritetet kanë shpallur një nga operacionet më të mëdha policore në vite, teksa përpiqen të sigurojnë rrugët e Berlinit.
Nancy Faeser, ministrja e Brendshme gjermane, tha se ishte “e shqetësuar se nata e Vitit të Ri mund të jetë edhe një herë një ditë në të cilën do përjetojmë dhunë”.