24 Mar 2026, Tue

Pas qortimeve nga këshilltarit të tij, Kurti uron me vonesë Talat Xhaferin

Disa orë pasi Talat Xhaferi është zgjedhur kryeminister i Maqedonisë së Veriut, ngjarje historike kjo për shqiptarët, ka ardhur edhe urimi nga Albin Kurti.

Në një postim në Facebook, Kurti i ka uruar suskese në detyrën e re duke theksuar se pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner.

“Ish Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner”, shkruan Kurti.

Urimi i Kurtit erdhi disa orë me vonesë. Kujtojmë se gjatë ditës i emëruar nga Zyra e Kryeministrit si këshilltar për marrëdhënie me Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, ka sulmuar vazhdimisht kryeministrin e parë shqiptar, Talat Xhaferin.

Tutje, Kurti ka uruar që gjatë qeverisjes së Xhaferit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të kenë veprime bashkërenduese për projekte të përbashkëta.

“Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”.

Tutje i pari i ekzekutivit ka thënë se Kosova e dëshiron një Maqedoni të Veriut me orientim të fortë euroatlantik.

“Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë”

Kurti është shprehur i sigurt se bashkëpunimi i Kosovës me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë me Xhaferin ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, Kovaçevski.

“Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, ka deklaruar ndër të tjera Albin Kurti.

By Nazmi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *