Prokuroria Themelore në Prishtinë të shtunën ka konfirmuar se është arrestuar edhe personi i katërt që dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor në periferi të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, ai po dyshohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
“Brenda afatit ligjor, prokurori do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
I dyshuari u arrestua në një fshat të Gjakovës. Ai dyshohet se është i përfshirë në sigurimin e armës, të cilën e shkrepi i dyshuari G.P., tashmë i arrestuar.
Liridona Ademaj dyshohet se u vra me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli.
Murseli, së bashku me dy persona të tjerë, janë në qelinë e paraburgimit si të dyshuar për organizimin e vrasjes së 30-vjeçares.
Murseli dhe dorasi i dyshuar u arrestuan dy ditë pas vrasjes, më 1 dhjetor. Pak më vonë, po atë ditë, u arrestua edhe një person i tretë që ishte pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.