Shefi i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, ka thënë se me uljen e temperaturave numri i aksidenteve mund të rritet.
Ka deklaruar se Policia kanë bërë projekte të shumta për të shtuar respektimin e rregullave dhe për ta rritur vigjilencën e pjesëmarrësve në trafik.
Sipas tij, sa i përket aksidenteve me fatalitet, Kosova ka trend në rënie.
“Në vitin 2022, 106 persona e kanë humbur jetën, numri pothuajse më i vogël viteve të fundit. Sa i përket rajonit, në bazë të numrit të banorëve, Kosova ka më së paku viktima në trafik, por qëllim i ynë është të krahasohemi me shtetet më të zhvilluara”, ka thënë ai.
Ka shtuar se sa u përket çështjeve të infrastrukturës ligjore, Policia ka departamente të caktuara për to.
Rexhepi ka thënë se kanë dorëzuar shkresa me rekomandime sa u përket rrugëve, sidomos për sinjalizimin e tyre.
Sipas tij, jo të gjitha rekomandimet janë marrë parasysh nga niveli qendror.
Ka deklaruar se aksidentet janë të shpërndara në komuna dhe nuk ka ndonjë rrugë specifike ku aksidentet ndodhin më shumë.
“Numri më i madh i atyre që kanë humbur jetën në trafik gjatë këtij viti janë në vetaksidente. Gjatë këtij viti janë 44 shoferë që kanë humbur jetën në trafik, 28 pasagjerë dhe 24 këmbësorë”, ka thënë ai.
Ka thënë se këtë vit janë mbi 589 mijë gjoba që janë shqiptuar për kundërvajtje në trafik.
Derisa ka folur për aksidentin e sotëm zinxhiror në Fushë-Kosovë, ka deklaruar se ndihmë mjekësore kanë kërkuar nëntë persona që aktualisht janë jashtë rrezikut për jetë.