Këtë të hënë, Agjencia e Mbikqyrjes Policore, do të rifillojë procesin e Vetingut në radhët e policisë.
Përpara trupës vlerësuese për t’u përballur me gjetjet do të dalin 3 drejtues të lartë të Policisë dhe AMP. Seancat do të jenë publike dhe të hapura për median.
Të hënën në seancë dëgjimore do të jetë drejtori i policisë Shkodër, Edmond Sulaj, ndërsa në trupë vlerësimi do të jetë Arben Sefaj-kryesues, Denisa Sina-relatore dhe Suela Bulku-anëtare.
Trupa vlerësuese do të verifikojë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësive profesionale të gjithsecilit prej tyre.
Pas ndryshimeve ligjore, vetingu në polici iu besua Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, pas shkrirjes së komisionit të jashtëm të vlerësimit.
Me ligjin e vjetër por edhe të ri, janë vetuar 37 drejtues të lartë të policisë, nga të cilët 35 u konfirmuan në detyrë dhe dy u përjashtuan.
Në prill të këtij viti u hodh shorti ku caktoi 34 drejtues të lartë të policisë të cilët do t’i nënshtroheshin procesit të vetingut dhe vendimet do të shpalleshin brenda muajit Tetor. Por vonesat në kthimin e përgjigjes nga institucionet si dhe lëvizjet në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore e shtynë këtë proces për në dhjetor.