Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i trajtojnë fqinjët e Serbisë me një standard shumë më të ashpër dhe më të lartë sesa vetë atë.
Në një intervistë dhënë “PBC News Weekend”, Joseph e ka konsideruar të dështuar politikën e SHBA-së për ta larguar Serbinë nga orientimi pro-rus.
“Pra, ne kemi një pabarazi në Ballkan ku Shtetet e Bashkuara i trajtojnë fqinjët e Serbisë me një standard shumë më të ashpër dhe më të lartë. Duhet të theksoj që kemi pasur dy konfrontime të dhunshme në Kosovë këtë vit. Kemi pasur probleme të mundshme në Malin e Zi, i cili është një aleat i NATO-s. Dhe tani brenda qeverisë, ka elementë pro-rusë brenda atij aleati të NATO-s. Kemi një krizë që po fillon, ndoshta edhe duke filluar këtë muaj në Bosnje Hercegovinë”, ka thënë ai.
Joseph e ka quajtur gabim të administratës së Bidenit trajtimin që i ka bërë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që sipas tij ishte standard më i butë se që duhej.
“SHBA-ja në thelb projekton frikë nga Beogradi, të cilën presidenti Vuçiq e interpreton saktë dhe e shfrytëzon. E gjitha kjo shkon natyrisht në dobi të aleatit të tij, që është Rusia”, ka shtuar ai.
Sipas profesorit amerikan, Serbia dhe Rusia vazhdojnë të jenë në një linjë.
“Kemi një politikë proruse në Beograd, të cilën e shohim hapur. Pra, kemi absurditetin e Shteteve të Bashkuara, të cilat vazhdojnë t’i shërbejnë presidentit Vuçiq. Dhe kemi absurditetin kur presidenti Vuçiq takohet me ambasadorin e tij të afërt dhe të preferuar, ambasadorin rus, dhe ata të dy fajësojnë hapur SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për nxitje të protestave, të cilat janë legjitime”, është shprehur Joseph.