Grabitje me dhunë apo konflikt me një të njohur? Rasti i një 81 vjeçari në Korçë është ende i paqartë, ndërkohë që ai ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën. Sipas policisë, Gaqo Tili ka marrë plagë të rënda në kokë, ndërsa nuk dihet kush është autori.
Në banesën e tij janë gjetur pije alkoolike në tavolinë, ndërsa anash pallatit janë zbuluar gjurmë gjaku që dyshohet se i përkasin autorit, i cili mund të jetë larguar i plagosur. Policia ka mbërritur në vendngjarje për të zbuluar më shumë detaje mbi rastin.
“Më datë 08.02.2024, rreth orës 07:05, spitali i Korçës ka njoftuar sallën operative të DVP Korçë se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi G. T., rreth 81 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Korçë. Menjëherë në banesën e 81-vjeçarit ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konstatuar se as dera e banesës dhe as dritaret e saj, nuk janë të dëmtuara. Nga këqyrja e banesës, si dhe nga sendet dhe provat e gjetura dyshohet se 81-vjeçari mund të jetë konfliktuar me ndonjë shtetas që e ka patur në banesë. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të dëmtimit të shtetasit dhe identifikimin e autorit të dyshuar pjesëmarrës në banesën e të dëmtuarit.Për këtë ngjarje pas sqarimit të të gjitha rrethanave të mekanizmit dhe motiveve do të kemi një njoftim të plotë“, thonë blutë.